Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i është kundërpërgjigjur ministrit në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, pasi ky i fundit mohoi akuzat se gjatë takimeve me zyrtarë dhe përfaqësues ndërkombëtarë kishte quajtur shqiptarët “terroristë”.
Gashi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se deklaratat e tij janë të vërteta. Ai i është drejtuar Rashiqit me një paralajmërim, duke thënë se për pretendimet e tij “ka edhe procesverbale”.
Postimi i plotë:
Rashiq, po ta kushtoj një status të shkurtër.
Krejt çka kam thënë është e vërtetë. Po ta kujtoj një pjesë: vetë ke treguar, në një takim jashtë Kosovës me përfaqësues të organizatave të rëndësishme — nuk po i përmend për hir të konfidencialitetit — për rastin e djalit tënd të mitur dhe lëndimin e dorës së tij. Të thosha se integrimi është i mundur. Më vjen mirë që je bindur se Policia e Kosovës u shërben të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.
Por të përgëzoj që tash e ke kuptuar se ke qenë gabim. Për këto punë ka edhe procesverbale.
Kaq për ty.



