Një rast tronditës i dhunës ndaj një foshnje tre muajshe është raportuar në Tetovë, pasi dëshmitarët kanë vërejtur një grua duke e keqtrajtuar fizikisht fëmijën dhe duke e goditur në asfalt. Ata kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë njoftuar Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Sipas informacioneve nga SPB Tetovë, më 14 qershor 2026, në ora 17:20, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria V.M. (42) nga Prilepi, me qëndrim në Tetovë. Më vonë, në ora 18:30, në fshatin Sarakinë, zyrtarët e Policisë së Grupçinit kanë arrestuar edhe B.S. (37) nga i njëjti fshat.
Më herët, rreth orës 16:00, në SPB Tetovë ishte raportuar se rreth orës 15:30, V.M. ishte parë duke e keqtrajtuar fizikisht foshnjën e saj tre muajshe dhe duke e goditur në asfalt. Personat që e kanë parë ngjarjen ia kanë marrë fëmijën dhe e kanë raportuar menjëherë rastin në polici.
Për rastin janë njoftuar një punonjës social dhe një inspektor për të mitur, ndërsa të dy personat janë mbajtur në stacion policor.
Pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, ndaj tyre do të paraqiten kallëzime përkatëse.
Institucionet kompetente vazhdojnë të hetojnë të gjitha rrethanat e rastit dhe gjendjen shëndetësore të foshnjës.

