Një fond privat investimesh me vlerë 300 miliardë dollarë pritet të jetë një nga shtyllat kryesore të marrëveshjes së re mes Uashingtonit dhe Teheranit, që do të shërbejë për rindërtimin e Iranit.
Sipas Reuters, më shumë se gjysma e kësaj shume është angazhuar tashmë nga kompani private ndërkombëtare dhe do të quhet “Fondi për Rindërtim dhe Zhvillim.”
Investimet e planifikuara përfshijnë sektorët e energjisë, transportit, logjistikës dhe industrisë prodhuese. Burime të përfshira në negociata bëjnë të ditur se kompani nga Shtetet e Bashkuara, vendet e Gjirit Persik, Azia, Amerika e Jugut dhe Afrika kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar financiarisht.
Krijimi i fondit lidhet drejtpërdrejtë me zbatimin e marrëveshjes së arritur mes Uashingtonit dhe Teheranit. Dokumenti paraprak, që pritet të nënshkruhet këte të premte, parashikon një periudhë 60-ditore negociatash për çështjet bërthamore, heqjen e sanksioneve dhe sigurinë rajonale.
Sipas burimeve iraniane, Teherani kishte kërkuar fillimisht 400 miliardë dollarë si kompensim për dëmet e luftës, por administrata amerikane refuzoi një skemë të tillë dhe në vend të saj u propozua krijimi i fondit të investimeve.
Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është i gatshëm ta paraqesë marrëveshjen e armëpushimit me Iranin për shqyrtim në Kongres, pasi ligjvënesit kërkojnë më shumë transparencë mbi përmbajtjen e saj.
Demokratët duken skeptikë në lidhje me paktin e paqes, pasi sipas tyre deklarata të tilla janë dëgjuar shumë herë nga shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Megjithatë, detajet mbeten të paqarta, pasi teksti i paktit nuk është publikuar dhe as dërguar në Kongres.

