Reuters: Kosova thellë në krizë politike, Kurti dështoi t’i siguronte votat për kandidaten e tij për Presidente

Kosova po shkon në të tjera zgjedhje të parakohshme pasi parlamenti dështoi ta zgjedhë një president të ri të martën, duke e rikthyer vendin më të ri të Europës thellë në një krizë politike, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.

Parlamenti kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur një kre shteti pasi mandati i Presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit, por Kryeministri Albin Kurti dështoi ta sigurojë mbështetjen e partive opozitare për ta votuar kandidaten e tij.

Dy të tretat e parlamentit me 120 ulëse duhet të jenë të pranishëm që votimi të jetë i vlefshëm. Dështimi për ta zgjedhur një president të ri shkakton zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Në bazë të aktgjykimit të (Gjykatës Kushtetuese), parlamenti konsiderohet i shpërndarë”, tha kryetarja e parlamentit dhe presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, në mesnatë.

Haxhiu pritet ta shpallë së shpejti datën e zgjedhjeve. Ky do të ishte votimi i tretë në pak më shumë se një vit.

Ky veprim zgjat ngërçin politik në Kosovë, e cila ka aspirata për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Vendi ballkanik nuk pati qeveri funksionale për pjesën më të madhe të vitit të kaluar pasi parlamenti i fragmentuar dështoi për muaj të tërë ta zgjedhë një kryetar, duke rrezikuar financimin ndërkombëtar shumë të nevojshëm.

Një fitore bindëse në zgjedhje e partisë Vetëvendosje të Kurtit në dhjetor dukej se do t’i jepte fund më shumë se një viti ngërçi politik.

Zgjedhja e një presidenti, edhe kur ai nuk ka kompetenca të rëndësishme politike, ka rezultuar gjithmonë sfiduese, pasi dy të tretat e deputetëve duhet të marrin pjesë në seancën e votimit, një kërkesë që e bën të lehtë prishjen e procesit.

By admin7