Kaos në transportin publik: Qytetarët e Shkupit revoltohen nga orari i ri
Ndryshimet e fundit në orarin e transportit publik në Shkup kanë shkaktuar pakënaqësi të madhe tek qytetarët, të cilët ankohen për vonesa të shpeshta, linja të reduktuara dhe anulime që po ua vështirësojnë përditshmërinë.
Sipas reagimeve të shumta, transporti publik është bërë i paparashikueshëm, sidomos në orët e mëngjesit dhe pasdites, kur qytetarët shkojnë dhe kthehen nga puna.
“Është e pamundur të arrijmë në kohë. Situata është e njëjtë pothuajse në të gjitha linjat”, shprehen qytetarët, disa prej të cilëve kanë nisur edhe iniciativë për peticion që do t’i dorëzohet JSP Shkup.
Linjat që shkaktuan reagime
Qytetarët veçojnë disa nga problemet kryesore:
Anulimi i linjës “65-c” në orët e hershme të mëngjesit
Mungesa e linjës “26”, e cila lidhte disa lagje kryesore të qytetit
Intervale shumë të gjata në linjën “3-b”, deri në dy orë pritje
Probleme të ngjashme edhe në linjat “52”, “62” dhe “63”
Sipas tyre, këto ndryshime kanë lënë zona të tëra pa transport funksional në orët më të nevojshme.
– Thirrje për rikthimin e orarit të vjetër
Për shkak të situatës së krijuar, shumë qytetarë kërkojnë rikthimin e orarit të mëparshëm, duke vlerësuar se ndryshimet aktuale nuk i përmbushin nevojat reale të pasagjerëve.
– Reagimi zyrtar
Nga JSP Shkup thonë se orari i ri është hartuar mbi bazë analizash të përdorimit të linjave, kapaciteteve reale dhe kërkesave të qytetarëve dhe institucioneve.
“Situata në terren monitorohet vazhdimisht dhe të gjitha reagimet e arsyeshme do të merren parasysh në ndryshimet e ardhshme”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Nga kjo ndërmarrje shtojnë se linja “26” pritet të rikthehet, ndërsa për linjat e tjera janë bërë përshtatje sipas nevojave specifike.
– Orari i ri në fuqi nga 4 prilli
Orari i ri i transportit publik u miratua në mars dhe hyri në fuqi më 4 prill, me synimin për të përmirësuar efikasitetin dhe organizimin e transportit në qytet.
Megjithatë, reagimet e qytetarëve tregojnë se në praktikë, ndryshimet kanë sjellë më shumë probleme sesa zgjidhje.


