Rikonstruimi i Qeverisë, Mexhiti: Po nis një fazë e re e punës, me më shumë përgjegjësi

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti ka reaguar pas votimit për rikonstruimin e Qeverisë, duke vlerësuar se ky proces konfirmoi stabilitetin politik dhe kohezionin e shumicës qeverisëse për të vazhduar zbatimin e prioriteteve strategjike të vendit.

Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Mexhiti theksoi se vendi përballet me sfida që kërkojnë vendimmarrje dhe reforma, duke nënvizuar se fokusi duhet të mbetet te zhvillimi ekonomik, forcimi i shtetit ligjor, investimet, infrastruktura dhe integrimi evropian.

“Përpara nesh janë sfida që kërkojnë vendimmarrje, jo hezitim; reforma, jo justifikime; zhvillim, jo stagnim. Forcimi i shtetit ligjor, zhvillimi ekonomik, investimet, infrastruktura dhe integrimi evropian kërkojnë institucione që japin rezultate”, shkroi ai.

Sipas Mexhitit, qytetarët kanë nevojë për një qeverisje që sjell rezultate konkrete dhe jo për, siç u shpreh ai, “kriza artificiale apo kauza të rreme që prodhojnë përçarje”.

Ai shtoi se çdo institucion, ministër dhe vendim do të vlerësohet mbi bazën e ndikimit që ka në jetën e qytetarëve, duke e cilësuar këtë si standardin dhe përgjegjësinë e Qeverisë.

Në përfundim, Mexhiti deklaroi se pas rikonstruimit nis një fazë e re e punës, me më shumë përgjegjësi, ritëm dhe rezultate.

“Na priftë e mbara!”, përfundoi ai në mesazhin e tij.

By admin7