Izraeli ka refuzuar planin me 15 pika të presidentit amerikan, Donald Trump, për Rripin e Gazës. Këtë e bëri të ditur kryeministri Benjamin Netanjahu, duke saktësuar se ushtria e vendit të tij nuk do të tërhiqet nga enklava palestineze derisa Hamasi të jetë çarmatosur plotësisht.
“Për sa kohë që unë jam kryeministër, nuk do të krijohet një shtet palestinez. As në Gaza dhe as në Jude dhe Samari (term biblik për Bregun Perëndimor), as një ‘Fatah-stan’ dhe as një ‘Hamas-stan’”, u shpreh Netanjahu.
Trump njoftoi muajin e kaluar se kishte pasur një përparim në planin e tij për t’i dhënë fund luftës, për të cilin Izraeli dhe Hamasi ranë dakord vitin e kaluar dhe që filloi me armëpushimin. Megjithatë, ushtria e shtetit hebre ka vazhduar të kryejë sulme në Gaza që nga nënshkrimi i armëpushimit tetorin e kaluar.



