Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka hapur sot mbledhjen e dytë të Komitetit Monitorues të Instrumentit për Reforma dhe Rritje (Reform and Growth Facility – RGF), e cila u zhvillua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Komisionit Evropian, Delegacionit të Bashkimit Evropian, institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në fjalën e tij, Sali theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të reformave që, sipas tij, sjellin rezultate konkrete për qytetarët.
“Procesi i integrimit evropian nuk është vetëm një prioritet politik, por një investim strategjik në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin afatgjatë të vendit. Agjenda e Reformave është shndërruar në një instrument kyç për përshpejtimin e reformave dhe afrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi Sali.
Ai shprehu falënderime ndaj Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, ambasadorit Michalis Rokas dhe Komisionit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Sipas Sali, Maqedonia e Veriut renditet ndër vendet më të suksesshme në rajon në zbatimin e Agjendës së Reformave, duke siguruar deri tani mbi 142 milionë euro përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje. Ai shtoi se vetëm në ciklin e fundit të vlerësimit janë miratuar 65.7 milionë euro, që përbën shumën më të lartë të disbursuar në rajon.

