Sefer Selimi
Gjysmë-kryetari Bilall Kasamit ka dëshirë për protagonizëm, dhe në politikë kjo është e kuptueshme. Por, në mbamendjen time nuk më kujtohet as edhe një kritikë e Edi Ramës apo e Tiranës zyrtare ndaj VLEN-it ose vetë Bilall Kasamit. Tirana zyrtare nuk është “Portokallia”, as mediumet në Shqipëri ku përfaqësuesit e partisë së tij janë shfaqur dhjetëra herë pa asnjë problem.
Nëse qëndrimin e Tiranës se “shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë shtetformues, duhet të jenë plotësisht të barabartë me maqedonasit, se gjuha shqipe është e shenjtë, zyrtare dhe nuk guxon të preket”, z. Bilalli e konsideron kritikë personale ndaj tij, atëherë problemi është shumë më i thellë dhe lidhet me vetë atë që ai pretendon se përfaqëson.
Ajo që ka ndodhur në realitet është krejt e kundërta.
Eksponentë të lartë të VLEN-it janë lëshuar me akuza të paskrupullta, duke vjellë vrer e duke hedhur baltë mbi Shqipërinë, duke sulmuar Edi Ramën dhe Tiranën zyrtare si “agresive dhe përçarëse”, madje duke e përshkruar Shqipërinë si “shtet ku lulëzon narkotrafiku” dhe ku “mbrohen krimi e korrupsioni”. Kjo për t’iu lëpirë VMRO-DPMNE-së dhe Mickoskit.
Dhe pastaj habiten pse askush nuk i merr seriozisht kur përpiqen ta shesin veten si viktima politike.


