Dardan Sejdiu ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të fundit të Qeverisë në detyrë, duke e akuzuar kryeministrin për përdorim të parasë publike në funksion të fushatës zgjedhore.
Në një postim publik, Sejdiu tha se shpërndarja e mjeteve financiare vetëm dy javë para zgjedhjeve përbën “blerje të votës me paratë e qytetarëve”.
Ai iu drejtua qytetarëve që punojnë, paguajnë taksa dhe mbajnë ekonominë e vendit, duke deklaruar se “krejt mundi i tyre po përdoret për të shpëtuar pushtetin”.
Sipas Sejdiut, pas pesë vitesh qeverisje nuk ka përmirësim në sektorët kyç si arsimi, shëndetësia dhe ekonomia.
“Arsimi sot është edhe më keq se në vitin 2021. Në shëndetësi qytetari vazhdon të paguajë privatisht për shërbime që duhet t’i marrë në sektorin publik”, shkroi ai.
Ai kritikoi edhe faturat e energjisë elektrike, duke thënë se qytetarët po paguajnë më shumë dhe pa qartësi në faturim, ndërsa prodhuesit vendorë, sipas tij, vazhdojnë të mbeten pa mbështetje reale nga shteti.
Sejdiu ngriti shqetësime edhe për rritjen e çmimeve dhe emigrimin e të rinjve, duke përmendur se mijëra qytetarë po largohen çdo vit nga Kosova.
Në fund të reagimit, ai tha se Kosovës nuk i duhen “pako paniku” para zgjedhjeve, por një qeveri që punon gjatë gjithë mandatit për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie të qytetarëve.
“14 shkurti 2021 ka qenë i domosdoshëm. 7 qershori nuk është”, përfundoi Sejdiu.


