Shërbimi Doganor i Maqedonisë së Veriut ka parandaluar një tentim kontrabande me 348 gramë stoli ari, me vlerë të përgjithshme prej 1.3 milionë denarësh, në pikën kufitare Tabanoc, gjatë hyrjes në vend informon Tetovasot.
Gjatë kontrollit të detajuar të një veture me të cilën udhëtonte një çift bashkëshortësh, shtetas të Maqedonisë së Veriut me vendbanim në Belgjikë, në çantën e bashkudhëtares u gjetën 26 copë stoli ari.
Departamenti për Hetime pranë Sektorit për Kontroll dhe Hetime ka ngritur kallëzim penal për veprën penale “kontrabandë” ndaj gruas, sipas Kodit Penal.
Sipas Drejtorisë së Doganave, vetëm gjatë këtij viti janë zbuluar 13 raste kontrabande me ar, ku janë sekuestruar mbi 2.5 kilogramë stoli dhe monedha ari.TS




