Një operacion i madh policor në Dortmund të Gjermanisë përfundoi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, pasi një 51-vjeçar u dorëzua pas disa orësh negociatash me forcat e rendit.
Sipas policisë, burri ishte barrikaduar në një banesë së bashku me tre vajzat e tij. Autoritetet e cilësuan rastin si një situatë kërcënimi dhe jo si pengmarrje.
Ngjarja nisi pas një konflikti familjar, për të cilin policia ishte thirrur të ndërhynte. Gjatë ndërhyrjes, 51-vjeçari dyshohet se qëlloi me armë zjarri ndaj një oficeri policie. Fatmirësisht, polici shpëtoi me lëndime të lehta falë jelekut antiplumb që mbante veshur.
Pas incidentit, burri u tërhoq në apartament së bashku me tre vajzat e tij, duke shkaktuar alarm të madh dhe mobilizim të njësive speciale të policisë.
Pas orësh të tëra negociatash, rreth orës 03:30 të mëngjesit, ai u dorëzua pa rezistencë dhe u arrestua menjëherë nga forcat speciale.
Policia njoftoi se tre vajzat janë të sigurta dhe nuk kanë pësuar lëndime. Ato aktualisht ndodhen nën kujdesin e shërbimeve sociale për fëmijë dhe të rinj.
Motivet që e shtynë 51-vjeçarin të barrikadohej me fëmijët e tij mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vazhdojnë.


