Autoritetet serbe kanë arrestuar një person me origjinë nga Istogu, nën dyshimin për veprën penale “spiunazh”, lidhur me çështjen e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, pjesëtarët e Shërbimit për Luftimin e Terrorizmit dhe Ekstremizmit (SBPT), në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Kriminale, Prokurorinë e Lartë Publike në Kraljevë dhe Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA), më 30 korrik kanë arrestuar R.T., 46-vjeçar, në territorin e Kraljevës.
Grand Kozmetik
Autoritetet serbe pretendojnë se i arrestuari ka pasur “bashkëpunim me shërbimin informativ që vepron në territorin e Kosovës” dhe se ka mbledhur e ka dorëzuar të dhëna për aktivitetet e ish-pjesëtarëve dhe pjesëtarëve aktualë të Ushtrisë së Serbisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe strukturave të tjera të sigurisë.
Ndërkohë, zhvillimi vjen në kohën kur në Kosovë po zhvillohen gërmime në një lokacion të dyshuar për varrezë masive në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, ku dyshohet se mund të gjenden mbetjet mortore të grupit prej 23 intelektualëve shqiptarë nga Mitrovica, të zhdukur në prill të vitit 1999.
Autoritetet serbe kanë njoftuar se ndaj të arrestuarit është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pas së cilës ai pritet të dalë para Prokurorisë së Lartë Publike në Kraljevë.



