SHBA-ja zyrtarizon pjesëmarrjen në EXPO 2027 në Beograd

Nënsekretarja për diplomacinë publike e Departamentit amerikan të Shtetit, Sara B. Rogers, nënshkroi të hënën në Beograd marrëveshjen për pjesëmarrjen e SHBA-së në ekspozitën ndërkombëtare EXPO 2027.

“Ekspozitat botërore ofrojnë mundësi për angazhim dhe frymëzim të publikut global, për promovimin e interesave ekonomike dhe tregtare të SHBA-së, si dhe për shfaqjen e ekselencës amerikane”, njoftoi më herët Departamenti amerikan i Shtetit.

Reklame

EXPO 2027 është planifikuar të zhvillohet nga 15 maji deri më 15 gusht 2027 në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.

Serbia zgjodhi temën: Loja për Njerëzimin: Sport dhe Muzikë për të Gjithë.

Gjatë vizitës në Beograd, Rogers do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se ajo do të takohet edhe me anëtarë të Qeverisë së Serbisë, me të cilët do të diskutojë për prioritetet e përbashkëta të Serbisë dhe SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.

Nënsekretarja amerikane po qëndron në Beograd dhe në Venecia nga data 6 deri më 12 maj./ REL/

By admin5