Njëzet e dy anëtarë të ekuipazhit të një anijeje iraniane të sekuestruar nga SHBA-të janë evakuuar në Pakistan si një “masë ndërtimi besimi”, njoftoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme pakistaneze. Sipas tij, ata pritet t’u dorëzohen autoriteteve iraniane gjatë ditës.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se anija iraniane “Touska” u godit dhe më pas u sekuestrua nga ushtria amerikane, pasi kishte refuzuar të zbatonte urdhrat për t’u tërhequr nga kalimi i planifikuar nëpër Ngushticën e Hormuzit më 19 prill.
Forcat amerikane, të cilat kanë vendosur një bllokadë detare në portet iraniane që prej muajit të kaluar, ndërhynë dhe morën kontrollin e anijes në Gjirin e Omanit. Ky zhvillim ka përshkallëzuar më tej tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit, në një konflikt që vijon prej muajit shkurt.
Më herët, sipas raportimeve të ABC News, zëdhënësi i Komanda Qendrore e SHBA-së, kapiteni Tim Hawkins, konfirmoi se 22 anëtarët e ekuipazhit ishin riatdhesuar në Pakistan. Ndërkohë, gjashtë të tjerë ishin liruar javën e kaluar dhe tashmë kanë mbërritur në Iran, sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim.


