Më 28.09.2026, Departamenti për Goditjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, Departamentin për Operacione të Posaçme Policore dhe SPB Shkup, nën drejtimin e prokurorit publik kompetent të Prokurorisë Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, realizoi një aksion të koordinuar policor, në të cilin u shkatërrua një grup i organizuar kriminal nga Shkupi, i përfshirë në kryerjen e veprave penale nga fusha e terrorizmit dhe tregtimit të palejuar të armëve.
Duke vepruar në bazë të urdhrave për bastisjen e shtëpive dhe ambienteve të tjera, të dhëna nga gjykatësi i procedurës paraprake, janë realizuar bastisje te gjashtë persona, në gjithsej 12 lokacione në territorin e Qytetit të Shkupit, me ç’rast janë privuar nga liria pesë persona.
Gjatë bastisjeve të realizuara janë gjetur dhe sekuestruar pushkë automatike, karikatorë për pushkë automatike, një pushkë snajper, karikator për pushkë snajper, pistoleta, municion i kalibrave të ndryshëm, jelek taktik, pajisje radio-komunikimi, flamur zyrtar i organizatës terroriste ISIS, një sasi e madhe pajisjesh elektronike, telefona celularë, si dhe një shumë e konsiderueshme parash në denarë dhe valuta të huaja.
Gjatë bastisjeve është konstatuar edhe përdorimi i paautorizuar i energjisë elektrike, për të cilin po ndërmerren masa dhe aktivitete shtesë në përputhje me kompetencat ligjore.
K.I. (34) në vitin 2023 kishte filluar veprimtarinë në kuadër të organizatës kriminale – një degë me bazë të matricës ideologjike të organizatës terroriste ISIS, me qëllim kryerjen e veprave penale në territorin e vendit tonë. Si pjesëtar i organizatës terroriste ISIS, bënte indoktrinimin e personave të rinj për realizimin e qëllimeve të organizatës terroriste ISIS, si dhe shpërndante materiale propagandistike me përmbajtje ekstremiste dhe radikale, ndërsa siguronte dhe përdorte armë zjarri. B.A. (24) dhe E.S. (30), së bashku me K.I., kishin formuar një grup në të cilin në mënyrë të paautorizuar posedonin, ndërmjetësonin dhe tregtonin me armë zjarri dhe municion.
Sektori për Luftimin e Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit pranë Departamentit për Goditjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, më 29.09.2026, drejtuar PTHP për NKOK, ngriti kallëzim penal kundër tre personave nga Shkupi, K.I. (34) për veprat e kryera penale “Terrorizëm” (neni 394-b, paragrafi 5, në lidhje me paragrafin 1) dhe veprën penale “Prodhimi, posedimi, ndërmjetësimi dhe tregtimi e paautorizuar i armëve ose lëndëve shpërthyese” (neni 396, paragrafi 5, në lidhje me paragrafin 3 dhe paragrafin 6) të Kodit Penal, si dhe kundër B.A. (24) dhe E.S. (30) për kryerjen e veprës penale “Prodhimi, posedimi, ndërmjetësimi dhe tregtimi i paautorizuar i armëve ose lëndëve shpërthyese” (neni 396, paragrafi 6, në lidhje me paragrafin 1) të Kodit Penal



