Policia e Shtetit në Shqipëri ka ndëshkuar me masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj drejtuesin e një mjeti lundrues, pasi hyri dhe lëvizi me shpejtësi brenda perimetrit të sigurisë të dedikuar për pushuesit në plazhin e Shëngjinit.
Sipas Policisë, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, konstatuan se mjeti lundrues po lëvizte në zonën e rezervuar për pushuesit, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e tyre.
Pas verifikimeve, drejtuesi i mjetit, shtetasi me inicialet D. M., u gjobit me 500 mijë lekë të rinj, ndërsa mjeti lundrues u bllokua.
Policia falënderoi qytetarët për denoncimet dhe bashkëpunimin, duke theksuar se çdo rast që cenon sigurinë e pushuesve trajtohet me seriozitet dhe verifikohet menjëherë.
Njëkohësisht, autoritetet u bënë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë, duke paralajmëruar se ndaj çdo shkelësi do të ketë reagim të menjëhershëm.



