Shkon në 24 numri i viktimave nga zjarri në Indonezi, rreth 30 persona ende të zhdukur

Shkon në 24 numri i viktimave nga zjarri shkatërrues që përfshiu një fabrikë ëmbëlsirash në Indonezi gjatë fundjavës, ndërsa rreth 30 persona rezultojnë ende të zhdukur. Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet mes rrënojave të ndërtesës së dëmtuar rëndë, ku puna po pengohet nga rreziku i shembjes së strukturave dhe vatrat e zjarrit që ende nuk janë shuar plotësisht.

Zjarri shpërtheu mbrëmjen e së shtunës në një nga godinat e fabrikës së kompanisë PT Fonusa Agung Mulia, në Cikande, në provincën Banten, rreth një orë larg kryeqytetit Xhakarta. Shkaqet e ngjarjes janë ende nën hetim, por dyshimet paraprake flasin për një qark të shkurtër elektrik në një kondicioner.

Këshilltari presidencial për çështjet e punës, Said Iqbal, konfirmoi bilancin prej 24 viktimash. Ai bëri të ditur se autoritetet po shqyrtojnë nëse në fabrikë janë zbatuar protokollet e sigurisë dhe se do të thërrasë drejtuesin ekzekutiv të kompanisë për të dhënë shpjegime.

Sipas të dhënave paraprake, rreth 300 persona ndodheshin në kompleksin e fabrikës gjatë turnit të së shtunës. Deri më tani, 29 persona janë konfirmuar të shpëtuar, pesë prej të cilëve janë dërguar në spital.

Kreu i agjencisë së kërkim-shpëtimit në provincën Banten, Al Amrad, tha se operacioni vijon me rrezik për ekipet, për shkak të vatrave të zjarrit që ende nuk janë shuar plotësisht dhe strukturës gjithnjë e më të paqëndrueshme të ndërtesës. Deri më tani, ekipet kanë nxjerrë nga rrënojat 24 qese me mbetje trupore, por autoritetet në terren nuk kanë mundur të konfirmojnë menjëherë bilancin përfundimtar të viktimave.

Për shkak të intensitetit të zjarrit, viktimat nuk mund të identifikohen përmes pamjes fizike. Policia bëri të ditur se po mblidhen mostra ADN-je nga familjarët për të përcaktuar identitetin e tyre, proces që mund të zgjasë disa javë.

Fabrika është në pronësi të kompanisë United Family Food, e cila ka rreth 5 mijë punonjës në total dhe furnizon tregun vendas me produkte ushqimore, mes tyre edhe markat Milkita dhe Lemonilo.