Shkrimtari spanjoll pas vdekjes së Mladiqit: Krimbat do të dalin nga arkivoli i tij për të vjellë

Shkrimtari spanjoll Arturo Pérez-Reverte, i cili gjatë viteve 1991–1994 raportoi për televizionin publik spanjoll TVE nga zonat e përfshira nga lufta në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, ka reaguar ashpër pas lajmit për vdekjen e kriminelit të luftës Ratko Mladiq.

Pérez-Reverte, 74 vjeç, e cilësoi Mladiqin si “kasapin e Bosnjës që shkaktoi kaq shumë dhimbje”, ndërsa reagimin e tij e publikoi në rrjetin social X.

“Vdiq ai bir k***, kasapi i Bosnjës që shkaktoi kaq shumë dhimbje. Krimbat do të dalin nga arkivoli i tij për të vjellë”, shkroi ai.

Bashkë me postimin, shkrimtari spanjoll publikoi edhe një fotografi të ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, i cili në Hagë u dënua me burgim të përjetshëm për krime lufte, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë.

Pérez-Reverte raportoi nga disa prej zonave më të rrezikshme të luftërave në ish-Jugosllavi, përfshirë Vukovarin e rrethuar dhe Sarajevën. Në rrjetin X ai ndiqet nga rreth 2.5 milionë persona dhe njihet në Spanjë për qëndrimet e tij të drejtpërdrejta dhe gjuhën e ashpër.

Në vjeshtën e vitit 1991, gjatë raportimeve nga Kroacia, ai iu drejtua publikut spanjoll duke theksuar:

“Lufta në Kroaci është absurde dhe mizore si çdo luftë tjetër, por me një dallim: ajo po zhvillohet në Evropë, më pak se tri orë fluturim me avion nga Madridi apo Parisi.”

Reportazhin e tij të fundit si gazetar lufte e realizoi në vitin 1994, kur kaloi Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në Mostar me pjesëtarë spanjollë të misionit të OKB-së, të njohur si “helmetat blu”. Më pas u kthye në Madrid dhe e la gazetarinë.

Pas përfundimit të karrierës si gazetar, Pérez-Reverte kritikoi ashpër Komunitetin Evropian dhe ish-ministrin e Jashtëm spanjoll Javier Solana për mënyrën se si Evropa reagoi ndaj luftërave dhe krimeve në Kroaci e Bosnjë.

Në një intervistë në vitin 2020, ai kujtoi se gazetarët që ndodheshin në terren ishin të tronditur kur shihnin zyrtarë evropianë duke komunikuar me udhëheqësit serbë të Bosnjës.

“Evropa luajti pisët, secili sipas interesave të veta, ndërsa çmimin e paguanin banorët që jetonin atje”, kishte deklaruar ai.

Pérez-Reverte ka theksuar gjithashtu rëndësinë e gazetarëve të luftës, duke thënë se pa reporterët që rrezikuan jetën për të dokumentuar ngjarjet në terren, bota mund të mos kishte mësuar kurrë se çfarë kishte ndodhur.

Pas gazetarisë, ai iu përkushtua letërsisë dhe u bë një nga shkrimtarët më të njohur spanjollë. Ndër veprat e tij janë “Piktura e mjeshtrit flamand”, “Klubi Dumas” dhe “Mbretëresha e Jugut”.

Në vitin 2013, Pérez-Reverte u bë anëtar i Akademisë Mbretërore Spanjolle (RAE). Para pak muajsh ai publikoi librin e tij më të fundit, “Enviado especial” (“I dërguari special”), i cili përmbledh reportazhet e tij të luftës, përfshirë përvojat nga ish-Jugosllavia, Lindja e Mesme dhe zona të tjera të konfliktit. /Vijesti

By admin7