“Shpatë prej ari, perlë në guaskë të arit…”, disa nga dhuratat që ka pranuar kreu i Kuvendit, Afrim Gashi

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka publikuar Katalogun e dhuratave për personat e zgjedhur dhe të emëruar për vitin 2025, në përputhje me detyrimet ligjore dhe parimet e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin publik, përcjell TV21. Katalogu mundëson qasje publike në të dhënat për dhuratat e deklaruara dhe kontribuon në rritjen e hapjes së institucioneve, si dhe në forcimin e besimit të qytetarëve në punën e tyre.

“Publikimi i katalogut përbën një pjesë të rëndësishme të sistemit të integritetit institucional, duke pasur parasysh se deklarimi i dhuratave është një nga mekanizmat kryesorë për parandalimin e konfliktit të interesit dhe për forcimin e sjelljes etike të bartësve të funksioneve publike”, thuhet në njoftimin e KSHPK-së.

Antikorrupsioni thekson se deklarimi në kohë dhe i plotë i dhuratave nga zyrtarët është një tregues i rëndësishëm i integritetit dhe përgjegjësisë së tyre, si dhe i zbatimit të qëndrueshëm të kornizës ligjore.

Në pjesën e deklarimeve për dhurata nga zyrtarët publikë janë gjithsej 55 raste, ku më së shumti ka raportuar kreu i Revizionit, Maksim Acevski, dhe kryetari i Kuvendit Afrim Gashi.

Acevski ka deklaruar kryesisht suvenire si: kornizë me veshje popullore, monedhë dekorative, anije dekorative, suvenir qeramike, vazo dekorative prej xhami etj.

Gashi ka deklaruar si dhurata objektin “Këshilli Shura”, një shpatë të artë në kornizë, një perlë të vendosur në guaskë të artë, vazo porcelani të pikturuar me dorë, skulpturë “Koka e Kalit”, monedha ari dhe argjendi etj.

Në pjesën e deklarimeve nga të punësuarit janë raportuar 12 raste. Një udhëheqës sektori në Drejtorinë për Zonat e Zhvillimit Teknologjik Industrial ka deklaruar si dhuratë verë “KARTAL VRANEC” 0.75 l, fletore dhe mauspad me logo të dhuruesit, ndërsa një këshilltar në Avokat i Popullit ka deklaruar një libër me vlerë 300 denarë.

Arkivi Shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka deklaruar tre kondicionerë me vlerë 68 mijë denarë, ndërsa Qendra Kombëtare e Kulturës “Vëllezërit Milladinov” në Strugë ka deklaruar një objekt dekorativ prej akriliku në dru me vlerë 9.000 denarë.

Kujtojmë se në Katalog, të gjitha dhuratat janë deklaruar si pronë shtetërore.

By admin2