Shpërthimi i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, OBSH e shpall emergjencë globale shëndetësore

Shpërthim i virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Ugandë është shpallur emergjencë globale shëndetësore nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) të dielën, pas 80 vdekjeve të dyshuara dhe nëntë rasteve të konfirmuara laboratorikisht.

OBSH-ja tha se ky shpërthim i Ebolës nuk i plotëson kriteret për të shpallur emergjencë pandemike, por vendet që ndajnë kufijtë tokësorë me Republikën Demokratike të Kongos janë në rrezik të lartë për përhapje të mëtejshme.

Reklame

Të dielën, agjencia shëndetësore e OKB-së deklaroi në një komunikatë se deri të shtunën ishin raportuar 80 vdekje të dyshuara, tetë raste të konfirmuara laboratorikisht dhe 246 raste të dyshuara në provincën Ituri të Republikës Demokratike të Kongos, në të paktën tri zona shëndetësore, përfshirë Bunia, Rvampara dhe Mongbvalu.

Rasti i nëntë u konfirmua në qytetin lindor kongolez të Gomës, sipas një deklarate të rebelëve të M23.

Ministria e Shëndetësisë e Republikës Demokratike të Kongos kishte deklaruar të premten se 80 njerëz kishin vdekur nga shpërthimi i ri në provincën lindore.

Shpërthimi i 17-të në vendin ku Ebola u identifikua për herë të parë në vitin 1976, mund të jetë në fakt shumë më i madh, duke pasur parasysh shkallën e lartë të pozitivitetit të mostrave fillestare dhe numrin në rritje të rasteve të dyshuara që po raportohen, tha OBSH-ja.

Sipas saj, shpërthimi është “i jashtëzakonshëm” sepse nuk ekzistojnë terapi apo vaksina të miratuara specifike për virusin Bundibugio, ndryshe nga variantet Ebola-Zaire.

Të gjitha shpërthimet e mëparshme të vendit, përveç njërit, ishin shkaktuar nga varianti Zaire.

Shpërthimi në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë paraqet rrezik për shëndetin publik edhe për vendet e tjera, pasi tashmë janë dokumentuar disa raste të përhapjes ndërkombëtare, tha agjencia, duke këshilluar vendet të aktivizojnë mekanizmat kombëtarë të menaxhimit të fatkeqësive dhe emergjencave, si dhe të kryejnë kontrolle ndërkufitare dhe kontrolle në rrugët kryesore të brendshme.

Në Kampala, kryeqytetin e Ugandës, të premten dhe të shtunën u raportuan dy raste të konfirmuara laboratorikisht, që duket se nuk kishin lidhje mes vete, përfshirë një vdekje, nga persona që kishin udhëtuar nga Republika Demokratike e Kongos, tha OBSH-ja.

Një rast i konfirmuar laboratorikisht u raportua gjithashtu në Kinshasa, kryeqyteti i Republikës Demokratike të Kongos, nga një person që ishte kthyer nga Ituri, sipas OBSH-së.

OBSH tha se personat që kanë qenë në kontakt me virusin Bundibugio ose rastet e dyshuara nuk duhet të udhëtojnë ndërkombëtarisht, përveç rasteve të evakuimit mjekësor.

Agjencia rekomandoi izolimin e menjëhershëm të rasteve të konfirmuara dhe monitorimin e përditshëm të kontakteve, me kufizim të udhëtimeve brenda vendit dhe ndalim të udhëtimeve ndërkombëtare deri në 21 ditë pas ekspozimit./REL

By admin5