Në kohë tensionesh dhe provokimesh, shqiptarët duhet të tregojnë pjekuri politike, unitet qytetar dhe përgjegjësi kombëtare.
Çdo përpjekje për prishjen e marrëdhënieve ndëretnike, nxitjen e urrejtjes apo krijimin e pasigurisë në rajon, nuk i shërben askujt përveç atyre që jetojnë nga konfliktet dhe ndasitë.
Shqiptarët në Ballkan janë faktor stabiliteti, zhvillimi dhe lidhjeje mes popujve. Mbi shtatë milion shqiptarë në rajon, me një diasporë të fuqishme që investon, ndërton dhe ndihëmon ekonominë në shumë vende të Ballkanit Perëndimor, meritojnë respekt, trajtim të barabartë dhe përfaqësim dinjitoz. Ky potencial njerëzor dhe ekonomik duhet të shihet si urë bashkëpunimi e jo si kërcënim.
Sot, kur protestat studentore, çështja e gjuhës shqipe, ofendimet nga grupet radikale në terene sportive dhe tensionet politike po krijojnë klimë të ndjeshme në Maqedoninë e Veriut, kërkohet maturi nga të gjithë faktorët politikë dhe institucionalë. Heshtja ndaj provokimeve vetëm sa i trimëron ekstremistët dhe nacionalizmin që synon përçarje.
Faktori shqiptar në institucione duhet të jetë më i zëshëm, më i bashkuar dhe më i vendosur në mbrojtjen e të drejtave kushtetuese, dinjitetit qytetar dhe barazisë reale. Dobësia politike apo mungesa e reagimit të koordinuar shpesh interpretohet si hapësirë për presione dhe retorikë nacionaliste.
Megjithatë, përgjigjja më e fortë ndaj çdo provokimi mbetet qytetaria, arsimi, zhvillimi ekonomik dhe ruajtja e unitetit kombëtar. Shqiptarët duhet të vazhdojnë të ndërtojnë ura komunikimi, të forcojnë lidhjet mes tyre dhe të mbështesin stabilitetin rajonal.
Le të jetë bregdeti shqiptar, universitetet, kultura, sporti dhe ekonomia hapësira ku shqiptarët nga të gjitha trojet ndihen njësoj në shtëpinë e tyre, të lirë, të respektuar dhe krenarë për identitetin e tyre.


