Na iku jeta duke kërkuar dhe luftuar për të njëjtat gjëra.
Shqiptarët nuk duhet të lejojnë të jenë viktima të kurtheve të vazhdueshme politike dhe pjesë e planeve të dikujt që të vazhdojmë të mbesim një popull eksperimental në Maqedoninë e Veriut.
Prej shumë kohësh jemi të zënë me të njëjtat tema kombëtare: a kemi apo jo flamur, a është gjuha shqipe mjaftueshëm e garantuar, a kemi përfaqësim të denjë në institucionet shtetërore apo jo.
Por lind pyetja: po sikur kjo të jetë një strategji e qëllimshme për të na mbajtur në vendnumëro?
Ndërkohë që neve na imponohet të merremi vazhdimisht me identitetin dhe simbolikat kombëtare, të tjerët kanë privatizuar fabrikat shtetërore, sistemin bankar, bizneset dhe pronat shtetërore, kanë përvetësuar banesa dhe kapacitete të rëndësishme ekonomike.
Madje, në shumë raste, janë uzurpuar edhe hapësira në zona të mbrojtura, përfshirë bregun e Liqenit të Ohrit dhe parqet kombëtare. Ndikimi i mafies dhe i krimit të organizuar vazhdon të mbetet një problem serioz për shtetin dhe shoqërinë, shpesh në shërbim të interesave të ngushta të grupeve të caktuara.
Ka ardhur koha që shqiptarët të mos kufizohen vetëm në kërkesa kombëtare, por të përqendrohen më shumë edhe në zhvillimin ekonomik, fuqizimin e sipërmarrjes, mbrojtjen dhe menaxhimin e resurseve, si dhe në pjesëmarrjen reale në vendimmarrje.
Ruajtja e identitetit kombëtar është shumë e rëndësishme dhe do të vazhdojmë t’i mbrojmë vlerat tona. Por të mos harrojmë se pa zhvillim ekonomik, pa arsim cilësor dhe pa institucione funksionale, asnjë popull nuk mund të sigurojë mirëqenie dhe perspektivë për brezat që vijnë.
Është koha që, krahas mbrojtjes së identitetit, të luftojmë edhe për zhvillim, pasuri, dije dhe fuqi ekonomike.

