Një shofer shqiptar kamioni është arrestuar nga autoritetet bullgare pasi në automjetin e tij u zbuluan rreth 60 kilogramë marihuanë, me vlerë të vlerësuar rreth gjysmë milioni euro.
Ngjarja ndodhi në pikëkalimin kufitar të Gjueshevës, në kufirin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas autoriteteve doganore bullgare, kamioni u përzgjodh për një kontroll të detajuar bazuar në analizën e rrezikut.
Gjatë inspektimit të kabinës, doganierët zbuluan një hapësirë të fshehtë të ndërtuar posaçërisht, ku ishin fshehur gjashtë qese me lëndë narkotike. Testet paraprake treguan se bëhej fjalë për marihuanë me peshë totale 60 kilogramë e 920 gramë.
Pas zbulimit të drogës, shoferi 28-vjeçar, shtetas i Shqipërisë, tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes, por u neutralizua dhe u arrestua menjëherë nga forcat e sigurisë.
Me urdhër të Prokurorisë së Qarkut në Kyustendil, ai është ndaluar për 72 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar origjinën dhe destinacionin e ngarkesës së drogës.

