Shqiptarja që u bë komandante në Gardën Kombëtare të SHBA-së

Oficerja shqiptaro-amerikane u rikthye në Shqipëri për të trajnuar Forcat e Armatosura, duke forcuar bashkëpunimin ushtarak mes SHBA-së dhe Shqipërisë, transmeton albinfo.ch.

Hatixhe Çollaku është një nga historitë më frymëzuese të suksesit të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E larguar nga Shqipëria në moshën shtatëvjeçare së bashku me familjen, ajo ndërtoi me përkushtim dhe disiplinë një karrierë të suksesshme në ushtrinë amerikane.

Sot, Hatixhe Çollaku mban detyrën e komandantes së Kompanisë së Inteligjencës në Gardën Kombëtare të New Jersey-t, duke u bërë gruaja e parë që drejton këtë njësi – një arritje që dëshmon profesionalizmin dhe aftësitë e saj drejtuese.

Pas shumë vitesh, ajo u rikthye në Shqipëri jo si emigrante, por si oficere e ushtrisë amerikane. Së bashku me ekipin e Gardës Kombëtare të New Jersey-t, ajo kontribuoi në trajnimin e Forcave të Armatosura Shqiptare për përdorimin e sistemeve ajrore pa pilot PUMA, në kuadër të bashkëpunimit ushtarak mes SHBA-së dhe Shqipërisë

Rrugëtimi i Hatixhe Çollakut është një shembull i fuqishëm se puna, përkushtimi dhe arsimi mund të çojnë drejt pozitave më të larta, ndërsa lidhja me vendlindjen mbetet e fortë pavarësisht viteve të jetës në diasporë.

Historia e saj përfaqëson suksesin e diasporës shqiptare dhe kontributin që shqiptarët vazhdojnë të japin në institucionet më prestigjioze ndërkombëtare, duke shërbyer njëkohësisht si urë bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara./Albinfo

By admin7