Nuk ka marrëveshje politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës as pas takimit të katërt mes krerëve të këtyre dy partive që u mbajt pasditen e së premtes.
Në një konferencë për media, Albin Kurti para gazetarëve kritikoi LDK-në për kërkesat e saj, duke përmendur rezultatin zgjedhor.
“Marrëveshjen politike nuk e kemi ende, pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përzhutën dhe është bindja ime që ka një dallim drastik midis rezultati zgjedhor dhe kërkesa të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë Kurti .
Mes tjerash, ai foli edhe për vazhdimin e seancës zgjedhore, e cila u shty me kërkesë të tij.
“Seanca konstituive e Kuvendit ka nisur dje, kur vazhdon vendos kryesuesi i seancës. Unë nuk jam takuar sot me kryesuesin e seancës dhe nuk e kam ndërmend të takohem me kryesin e seancës, sepse kam shumë punë si kryeministër në detyrë…Në këto orët e pasditës do ta kuptoni a do të thirret vazhdimi i seancës dhe kur”, tha deputeti i VV-së.
Në anën tjetër, Abdixhiku u shpreh se me Kurtin janë shumë larg arritjes së një marrëveshje në mes dy partive politike.
“Jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshje eventuale, nuk pres që të ndryshoj pa ndryshuar pozicionet politike të partive. Për LDK-në balanca institucionale është e domosdoshme dhe derisa nuk ka balancë, nuk mund të ketë as marrëveshje. Nëse qëndrojnë pozicionet e njëjta si të dhjetorit përfundimi është i njëjtë si tani”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka theksuar se problemi është te çështja e presidentit, derisa ka kërkuar që propozimi të vijë nga partia që e drejton ai.
“Është çështja e presidentit. LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga LDK, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerët dhe në këtë pikë nuk kemi pasur dakordancë. Oferta e dhjetorit që LDK të merr jo kryetarit e Kuvendit, por zvkryeministrin dhe disa ministri nuk është e mjaftueshme, nuk është e dinjitetshme as për të dhënë zgjidhje për krizën që jemi. Nuk mund ta pranojmë si të tillë, nëse e doni LDK-në në qeverisje atëherë LDK duhet të jetë e përfaqësuar”, ka deklaruar Abdixhiku.
“Në momentin që pajtohet që propozimi të nis nga LDK-ja, atëherë pajtohemi edhe për emra. Ulemi dhe diskutojmë, por nëse nuk pajtohemi që propozim duhet të vije nga LDK, atëherë për çfarë arsyeje und të japim emra”, ka thënë ai.
Edhe Abdixhiku foli për seancën konstituive, ku tha se i kërkoi Kurtit që ta thërras sonte.
“Si kryetar i LDK-së i kërkova kryetari të VV-së që të bëj çka është e mundur që të thërras seancën sot, sepse thirrja e seancës varet prej kryesuesit më të vjetër që është nga VV. Duhet t këtë seancë sonte, duhet të konstituohet Kuvendit, duhet të zgjidhet kryetari i Kuvendit, duhet të zgjidhet kryesia”, ka thënë Abdixhiku.



