Një shumicë e ngushtë e qytetarëve në Zvicër mbështesin një propozim referendumi që synon të kufizojë popullsinë e vendit në 10 milionë banorë, ndërsa përkrahja për këtë nismë po rritet, tregon një sondazh i publikuar të mërkurën, shkruan Reuters.
Qeveria zvicerane e ka kundërshtuar këtë iniciativë të mbështetur nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), duke paralajmëruar se ajo mund të dëmtojë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe ekonominë, për shkak të kufizimit të tregut të punës.
Sipas sondazhit të realizuar nga media Tamedia, gazeta “20 Minuten” dhe instituti i sondazheve Leewas, 52% e 16,176 të anketuarve janë në favor të propozimit ose priren ta mbështesin atë, ndërsa 46% janë kundër. Pjesa tjetër nuk kanë dhënë mendim. Sondazhi u zhvillua më 22–23 prill dhe u publikua në gazetën Tages-Anzeiger.
Një sondazh i mëparshëm në mars kishte treguar 45% mbështetje dhe 47% kundërshtim, duke treguar një rritje të lehtë të përkrahjes për iniciativën.
Sipas propozimit, popullsia rezidente e përhershme në Zvicër nuk duhet të kalojë 10 milionë banorë deri në vitin 2050, ndërsa vendi do të duhej të hiqte dorë nga marrëveshja për lëvizjen e lirë me BE-në.
Debati vjen në një kohë kur Zvicra po shqyrton një marrëveshje të re me Bashkimin Evropian për thellimin e lidhjeve ekonomike, ndërsa vendi u përball në vitin 2025 me tarifat më të larta tregtare nga SHBA në Evropë.
SVP, partia më e madhe në Zvicër, kundërshton integrimin më të thellë me BE-në, duke e parë si kërcënim për sovranitetin dhe si burim rregullash të tepërta për ekonominë zvicerane.

