Derbi më i madh i futbollit serb mes Crvena Zvezdës dhe Partizanit u shoqërua me një skenë që ka nxitur reagime të forta, pasi para fillimit të ndeshjes në stadiumin “Rajko Mitiq” u mbajt një minutë heshtje në nderim të Ratko Mlladiqit, e shoqëruar edhe me koreografi në tribunat e stadiumit.
Ngjarja është cilësuar si një prej momenteve më kontroverse të derbit, duke rikthyer vëmendjen te atmosfera e tensionuar që shpesh e shoqëron këtë përballje, shkruan Indeksonline
Mlladiqi u shpall fajtor nga Gjykata në Hagë për përgjegjësinë e tij në disa prej krimeve më të rënda të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë, ku u vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm.
Mbajtja e një minute heshtjeje në nderim të një personi të dënuar për krime lufte ka shkaktuar reagime të ashpra, duke u konsideruar si një akt që rihap plagët e së kaluarës dhe nxit polemika brenda dhe jashtë Serbisë./Indeksonline/



