Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich tha sot se është informuar për një urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar kundër tij nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP).
“Mbrëmë u informova se një kërkesë për një urdhër-arrest ndërkombëtar sekret ishte ngritur kundër meje nga prokurori i gjykatës antisemite në Hagë”, tha Smotrich në një konferencë për media, siç citohet nga e përditshmja “Yedioth Ahronoth”.
Smotrich e përshkroi këtë veprim si përpjekje “për të na imponuar një politikë vetëvrasjeje sigurie përmes sanksioneve dhe urdhër arresti”.
“Ne nuk do të pranojmë diktat hipokrit nga organe të anshme që vazhdimisht qëndrojnë kundër shtetit të Izraelit”, shtoi ai duke thënë se “një pjesë e madhe e vendeve evropiane nuk kanë shkëlqyer kurrë në dashurinë për Sionin. Hipokrizia dhe standardet e dyfishta janë bërë shenjë dalluese e shumë vendeve”, raporton edhe Times of Israel.
Të dielën, e përditshmja “Haaretz”, duke cituar një burim diplomatik të paidentifikuar, tha se kryeprokurori i GJNP-së kërkoi urdhër-arrest të vulosur për “një numër të paspecifikuar zyrtarësh izraelitë”.
Urdhrat e arrestimit do të përqendrohen në tre zyrtarë të ushtrisë izraelite dhe dy politikanë, tha burimi, duke shtuar se koha e kërkesës mbetet e panjohur. Smotrich tha se do të nënshkruajë urdhër dëbimi për fshatin beduin palestinez Khan al-Ahmar në Bregun Perëndimor të pushtuar pasi mësoi për kërkesën për urdhër.
Megjithatë, ai vuri në dukje se “nënshkrimi i një urdhri evakuimi nuk është brenda autoritetit të një ministri të financave”. Rreth 200 palestinezë jetojnë në komunitetin beduin në shtëpi dhe tenda prej kallaji dhe për vite me radhë janë përballur me përpjekje zhvendosjeje të lidhura me projektin e vendbanimeve të paligjshme izraelite të njohur si “E1”.
Khan al-Ahmar është i rrethuar nga vendbanime të paligjshme izraelite dhe shtrihet në një zonë të synuar nga Izraeli për zbatimin e projektit.
Plani përfshin ndërtimin e më shumë se 3.500 njësive të vendbanimeve të paligjshme që synojnë lidhjen e vendbanimit Maale Adumim me Kudsin Lindor, duke izoluar qytetin nga rrethinat e tij palestineze dhe duke ndarë në mënyrë efektive Bregun Perëndimor të pushtuar në dy pjesë.
Projekti është përballur me kundërshtime të gjera ndërkombëtare sepse zbatimi i tij shihet si minim i zgjidhjes me dy shtete dhe krijimit të një shteti palestinez përkrah Izraelit./ AA.


