Shqiptarët sot shënojnë Ditën e Alfabetit, në kujtim të Kongresit të Manastirit, ku 118 vjet më parë u mor vendimi historik për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Kongresi i Manastirit u mbajt nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, me pjesëmarrjen e 50 delegatëve nga 26 qytete, klube dhe shoqata shqiptare. Në këtë ngjarje me rëndësi të veçantë kombëtare u vendos që alfabeti shqip të bazohej në atë latin, me përshtatjet e nevojshme për tingujt e gjuhës shqipe.
Në Kongres morën pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trevat, ndërsa kryetar u zgjodh Mithat Frashëri. Nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qiriazi, kurse Parashqevi Qiriazi ishte e vetmja grua pjesëmarrëse në këtë ngjarje historike.
Kongresi i Manastirit konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë kombëtare shqiptare, pasi unifikimi i alfabetit krijoi një bazë të përbashkët për zhvillimin e arsimit, kulturës dhe identitetit kombëtar.
Kjo ngjarje i parapriu edhe zhvillimeve të rëndësishme historike që kulmuan me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912.
Për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, 22 nëntori është ditë feste zyrtare dhe ditë jopune. Ndërkaq, në Manastir vazhdon të funksionojë Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ku ruhen rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve të Kongresit dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe fizike.
Kjo ditë synohet të shndërrohet në një festë tradicionale, e cila çdo vit të marrë jehonë më të madhe në të gjitha trevat shqiptare.


