SPAK-u del me njoftim zyrtar për Vlora Hysenin

Prokuroria e Posaçme – SPAK ka marrë masa të reja sigurie dhe kontrolle në kuadër të një procedimi penal të vitit 2025, ndërsa mes personave nën hetim është edhe drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pas kërkesës së SPAK-ut, ka caktuar disa masa sigurie ndaj personave të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Me vendimin nr. 67, datë 21 shtator 2026, ndaj shtetases Vlora Hyseni, me detyrë drejtuese e Shërbimit Informativ të Shtetit, është caktuar masa “arrest në shtëpi”, si dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.

Sipas SPAK-ut, Hyseni është nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të kodit penal.

Ndërkohë, masa “arrest në burg” është caktuar ndaj shtetasit F.K., me detyrë “Përgjegjës sektori” në Institutin e Policisë Shkencore. Ai po hetohet për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i kodit penal.

Në arrest në burg është vendosur edhe shtetasi E.S., punonjës i shoqërisë “Agroturizëm kodra e kuajve”, i cili po hetohet për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i kodit penal.

SPAK bën me dije se vendimet e gjykatës i janë dërguar Policisë së Shtetit, e cila ka ekzekutuar dy prej masave të sigurimit.

Kontrolle në Durrës

Në kuadër të të njëjtit procedim penal, gjykata ka autorizuar edhe kontrolle në disa ambiente.

Me vendimin nr. 618, datë 20 shtator 2026, është lejuar kontrolli i banesës dhe kontrolli personal i shtetasit Ilir Proda, ish-funksionar i lartë i policisë së shtetit.

Gjithashtu, me vendimin nr. 619, datë 21 shtator 2026, është autorizuar kontrolli i kompleksit të vilave në kryqëzimin e rrugës “Durrësi në shekuj” me rrugën “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozetit në Durrës.

Hetimet vijojnë nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.

SPAK-u ka theksuar se çdo person i përfshirë në këtë procedim gëzon prezumimin e pafajësisë deri në vërtetimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë.