Specialja konfirmon zgjatjen e afatit për shpalljen e vendimit për katërshen e UÇK-së

Gjykata Speciale e ka konfirmuar lajmin e Indeksonline-it për zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Angela Griep, ka thënë për KSP-në se 20 korriku nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por data që përcakton afatin e zgjatur.

“Po, paneli gjyqësor ka nxjerrë një vendim për zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit të gjykimit edhe për 60 ditë të tjera, deri të hënën, më 20 korrik 2026, për shkak të kompleksitetit të çështjes. Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data që përcakton afatin e zgjatur. Paneli shtoi se, nëse një zgjatje tjetër bëhet absolutisht e nevojshme, ai do të nxjerrë një urdhër për këtë në kohën e duhur”, ka thënë ajo.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare, më 18 shkurt para trupit gjykues.

Ata edhe një herë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

By admin7