“Specialja po i mbyll dyert transparencës” – Avokati i Thaçit shpërthen pas bojkotimit të ekspertëve britanikë në Hagë

Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Misetic, ka reaguar ashpër pasi Gjykata Speciale në Hagë ka bojkotuar raportimin e Avokatit të Popullit të Kosovës dhe ekspertëve britanikë lidhur me procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Përmes një reagimi publik, Misetic theksoi se Avokati i Popullit i Kosovës dhe Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit po luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e standardeve të të drejtave të njeriut dhe garantimin e një procesi të drejtë gjyqësor.

“E drejta për një gjykim publik është një gur themeli i jurisprudencës së të drejtave të njeriut. Mbikëqyrja nga publiku siguron llogaridhënie institucionale dhe mundëson identifikimin e shkeljeve procedurale apo materiale”, ka deklaruar ai.

Misetic ka kritikuar gjithashtu organizata të njohura ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke përmendur Human Rights Watch dhe Amnesty International, për të cilat tha se shpesh në proceset ndërkombëtare mbrojnë institucionet më shumë sesa të drejtat e të akuzuarve.

Sipas tij, mungesa e monitorimit të pavarur dhe objektiv i lë të pandehurit në gjykatat ndërkombëtare të ekspozuar dhe pa garancitë e nevojshme për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Në fund, avokati i Thaçit vlerësoi punën e Avokatit të Popullit të Kosovës dhe Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, duke theksuar se ata po i japin kuptim real dhe zbatim praktik të drejtës për një gjykim publik në procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe bashkëakuzuarve të tij në Hagë.

By admin