Spiropali publikon mocionin për “Marrëveshjen e Re për Shqipërinë”: Propozon lista të hapura dhe ndarje të partisë nga shteti

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka bërë publik mocionin e saj për “Marrëveshjen e Re për Shqipërinë”, një dokument që, sipas saj, ishte përgatitur fillimisht si kontribut për debatin e brendshëm në Partinë Socialiste, por që u publikua për shkak të interesit të madh publik.

Në dokument, Spiropali propozon hapjen e një dialogu kombëtar për reformimin e sistemit politik dhe institucional të vendit. Ndër propozimet kryesore janë kalimi në një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, ndarja e qartë mes partisë dhe shtetit, forcimi i institucioneve dhe rritja e demokracisë së brendshme në partitë politike.

Ajo thekson se protestat dhe pakënaqësitë qytetare nuk duhet të shpërfillen, por të shihen si një mundësi për reflektim dhe vetëkorrigjim të politikës.

“Shumica qeverisëse nuk duhet ta shohë këtë si një zhurmë që duhet shtypur dhe injoruar, por si një moment reflektimi për demokracinë shqiptare”, thuhet në mocion.

Arrestim si në filma, policia e Shqipërisë publikon pamje nga operacioni madhor “Mekanizmi”

Sipas Spiropalit, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit dhe ka nevojë për një model qeverisjeje që garanton më shumë përfaqësim, konkurrencë dhe meritokraci, duke kufizuar përqendrimin e pushtetit.

Në pjesën që trajton reformën zgjedhore, ajo argumenton se sistemi i dalë nga marrëveshja politike e vitit 2008 ka konsumuar efektet e tij pozitive dhe propozon një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, i shoqëruar me procese më demokratike brenda partive politike.

Dokumenti kërkon gjithashtu një ndarje përfundimtare mes partisë dhe administratës shtetërore, duke theksuar se administrata duhet t’u shërbejë qytetarëve dhe ligjit, e jo interesave politike.

Në përfundim të mocionit, Spiropali fton qytetarët, institucionet dhe forcat politike të bëhen pjesë e dialogut për një “Marrëveshje të Re për Shqipërinë”, duke theksuar se ndryshimi duhet të nisë nga mënyra se si ushtrohet pushteti dhe nga vetë Partia Socialiste.

By admin