Starmer: Incidenti me anijen ruse në Kanalin Anglez, thellësisht shqetësues dhe i papërgjegjshëm

Kryeministri britanik, Keir Starmer, e ka cilësuar si “thellësisht shqetësues dhe të papërgjegjshëm” incidentin e ndodhur të martën në Kanalin Anglez, ku një luftanije ruse qëlloi me të shtëna paralajmëruese pranë një jahti britanik.

Duke folur nga samiti i G7 në Francë, Starmer tha se Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka vlerësuar se anija ruse kishte devijuar nga kursi dhe kishte qëlluar në një distancë prej vetëm disa qindra metrash nga jahti privat britanik “Bright Future”.

“Po jetojmë në një botë më të paqëndrueshme dhe më të rrezikshme se në çdo periudhë tjetër të jetës sonë. Kjo nuk është thjesht një përshkrim abstrakt, por një realitet”, deklaroi ai.

Sipas autoriteteve britanike, incidenti ndodhi rreth orës 11:40 të së martës, më shumë se 20 milje në jug të Ishullit të Wight dhe më pak se 40 milje në veri të Normandisë, në Francë. Jahti britanik iu afrua fregatës së armatosur rëndë “Admiral Grigorovich”, duke injoruar të paktën një paralajmërim.

Burime britanike thanë se marinarët rusë qëlluan më shumë se një herë pasi jahti iu afrua anijes luftarake.

Ministria britanike e Mbrojtjes deklaroi se, pas përpjekjeve për të kontaktuar mjetin lundrues britanik, luftanija ruse lëshoi të shtëna paralajmëruese, të cilat nuk kishin për qëllim goditjen e jahtit, por shmangien e një përplasjeje të mundshme.

Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se jahti po lundronte në një kurs të rrezikshëm. Sipas Moskës, fillimisht u përdorën raketa sinjalizuese, por mjeti britanik vazhdoi afrimin deri në rreth 150 metra, çka solli edhe qëllimin e një të shtënë paralajmëruese.

“Ky incident nuk duhej të kishte ndodhur. Është i papërgjegjshëm dhe çifti që ndodhej në jaht duhet të ketë përjetuar momente terrori. Besoj se të gjithë ndiejnë keqardhje për ta”, tha Starmer për BBC.

Kryeministri britanik komentoi edhe sulmin me zjarrvënie ndaj banesës së tij, për të cilin dy persona u shpallën fajtorë këtë javë. Sipas hetimeve, ata dyshohet se kanë vepruar nën udhëzimet e një personi të lidhur me Rusinë.

“Jam i kënaqur që drejtësia bëri punën e saj. Natyrisht, ngjarja ka pasur ndikim tek unë dhe familja ime”, u shpreh ai.

Starmer paralajmëroi se Britania dhe vendet perëndimore po përballen çdo ditë me veprime agresive nga Rusia.

“Jemi në vitin e pestë të luftës në Ukrainë dhe e dimë se Rusia, ashtu si edhe Irani, është përgjegjëse për sulme përmes ndërmjetësve në Mbretërinë e Bashkuar dhe në mbarë Europën. Duhet të jemi vigjilentë, sepse përballemi me këto kërcënime çdo ditë”, deklaroi ai.

Në samitin e G7 në Évian-les-Bains të Francës, Starmer u zotua të rrisë presionin ekonomik ndaj Rusisë përmes sanksioneve të reja dhe të vazhdojë mbështetjen financiare dhe energjetike për Ukrainën.

Ai tha se është i fokusuar si në garantimin e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit pas armëpushimit SHBA-Iran, ashtu edhe në mbështetjen e Ukrainës për të shndërruar presionin ushtarak ndaj Rusisë në një paqe të qëndrueshme.

“Këto zhvillime do të kenë ndikim të madh për vendin tonë. Jam krenar që Mbretëria e Bashkuar konsiderohet një nga vendet udhëheqëse në debatet globale mbi këto çështje”, përfundoi Starmer.

By admin5