Stevço Jakimovski më 2 korrik hyn në burg, do të vuajë dënimin njëvjeçar për ndërtim të paligjshëm

Ish-kryetari i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, është urdhëruar të paraqitet më 2 korrik 2026 në Burgun e Shkupit për vuajtjen e dënimit me burg prej një viti. Akti udhëzues është lëshuar nga gjykatësi për ekzekutimin e sanksioneve pranë Gjykata Themelore Penale Shkup.

Dënimi vjen pasi Gjykata e Apelit në Shkup konfirmoi pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë në rastin që lidhet me ndërtimin e ndërtesës komunale në Karposh, duke lënë në fuqi dënimin për veprën penale “ndërtim i jashtëligjshëm”. Në këtë dënim do të llogaritet edhe periudha që Jakimovski kaloi në arrest shtëpiak nga 19 marsi deri më 15 gusht 2019.

Ndërkohë, në pjesën që ka të bëjë me akuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Gjykata e Apelit e pranoi ankesën e Jakimovskit dhe e ktheu lëndën në rigjykim. Sipas vlerësimeve të gjykatës, veprimet për të cilat akuzohet i përkasin periudhës 2011–2017 dhe mund të përballen me vjetërsim gjatë vitit 2027.

Kujtojmë se në prill të vitit të kaluar, Gjykata Themelore Penale Shkup e kishte dënuar Jakimovskin me tre vjet e gjysmë burg për ndërtim të jashtëligjshëm dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me ndërtimin e objektit komunal në Karposh.

By admin