Sulejmani, Shasivari dhe Ferati, VLEN edhe zyrtarisht propozon ministrat e ri

Pasi kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi se tashmë i ka pranuar emrat e kandidatëve për ministra nga VLEN dhe se ata janë të pranueshëm për të, burime të Zyrtare.net nga VLEN bëjnë të ditur se janë përcaktuar emrat e ministrave që do të jenë pjesë e Qeverisë së rikonstruar.

Sipas këtyre burimeve, Sedat Sulejmani do të emërohet ministër i Kulturës dhe Turizmit, duke zëvendësuar Zoran Ljutkov. Sulejmani deri më tani ka ushtruar detyrën e zëvendësministrit në këtë dikaster.

Në Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive do të emërohet Agon Ferati, ndërsa në krye të Ministrisë së Drejtësisë pritet të emërohet profesori i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Evropës Juglindore, Jeton Shasivari, i cili do të zëvendësojë ministrin aktual nga radhët e ZNAM, Igor Filkov.

Me rikonstruimin e Qeverisë, VLEN do të ketë vetëm një post të zëvendëskryeministrit. Bekim Sali do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit për Çështje Evropiane.

Ndërkohë, funksioni i zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, të cilin deri më tani e mbante Arben Fetai, do të shfuqizohet, ndërsa kompetencat e kësaj fushe do të kalojnë nën kabinetin e kryeministrit.

Nga ana tjetër, Mickoski ka bërë të ditur se VMRO-DPMNE, si partia kryesore e koalicionit qeverisës, do të marrë drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

Për ministër të Shëndetësisë propozohet drejtori aktual i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, ndërsa për ministër të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë është propozuar zëvendësministri aktual, Gjoko Velkovski.

Kryeministri Mickoski deklaroi më herët se i ka pranuar emrat e ministrave të propozuar nga VLEN dhe ZNAM, por nuk ka dashur t’i bëjë publikë, duke theksuar se këtë do ta bëjnë vetë partnerët e koalicionit. Ai gjithashtu konfirmoi se nga VLEN tashmë ka marrë edhe emrin e kandidatit për ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive./Zyrtare.net/

By admin7