Sulm izraelit me dron në Libanin jugor, vriten tre persona mes tensioneve dhe negociatave për armëpushimin

Të paktën tre persona humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur pas një sulmi me dron të ushtrisë izraelite në jug të Libanit, sipas mediave shtetërore libaneze.

Sulmi ndodhi pavarësisht armëpushimit të shpallur mes Izraelit dhe Hezbollahut, duke rritur sërish tensionet në rajon.

Me këtë sulm, numri i viktimave nga bombardimet izraelite që prej së martës ka shkuar në të paktën shtatë. Ngjarja vjen në një moment kur për herë të parë pas dekadash po zhvillohen negociata të drejtpërdrejta mes qeverive të Libanit dhe Izraelit, nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.

Hezbollahu e dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar atë si një “sulm të drejtpërdrejtë ndaj civilëve” dhe një “shkelje flagrante” të armëpushimit. Lëvizja shiite deklaroi se mbetet e përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit, ndërsa akuzoi Izraelin se po e shkel atë për herë të tretë.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite deklaroi se objektivi i operacionit ishin pesë anëtarë të Hezbollahut, të cilët, sipas saj, përbënin një kërcënim për trupat izraelite të dislokuara në zonë. Në një deklaratë të publikuar në Telegram, ushtria tha se personat u “eliminuan” në një operacion të përbashkët të forcave ajrore dhe tokësore.

Përplasjet në kufirin libanez u rikthyen në fillim të marsit, pasi Hezbollahu ndërmori sulme ndaj Izraelit në mbështetje të Iranit, pas ofensivës së përbashkët SHBA-Izrael kundër Teheranit. Si kundërpërgjigje, Izraeli nisi një fushatë të gjerë ajrore dhe forcat e tij pushtuan pjesë të jugut të Libanit, ku vazhdojnë të mbajnë një zonë sigurie përgjatë kufirit.

Zëdhënësi i qeverisë izraelite, David Mensher, deklaroi se Izraeli nuk do të tërheqë trupat nga Libani jugor për sa kohë që Hezbollahu mbetet i armatosur dhe konsiderohet kërcënim për sigurinë e vendit.

Sulmi ndodh edhe pse marrëveshja e mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit, e nënshkruar më 17 qershor, parashikon ndërprerjen e luftimeve në të gjitha frontet, përfshirë edhe atë libanez. Paralelisht, në Uashington po zhvillohet raundi i pestë i bisedimeve të drejtpërdrejta mes Izraelit dhe Libanit, me ndërmjetësimin amerikan. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se ka shenja përparimi në negociata, megjithëse Hezbollahu vazhdon t’i kundërshtojë ato.

By admin5