Sulm kibernetik ndaj FIFA-s, hakerët pretendojnë se kanë vjedhur mbi 12 gigabajt të dhëna sensitive

FIFA ka konfirmuar se është shënjestruar nga një sulm kibernetik, i cili ka rezultuar në akses të paautorizuar në një grup të kufizuar të dhënash personale dhe të dhënash biznesi, raportoi të enjten gazeta The Athletic.

Organi drejtues i futbollit botëror tha se sulmi rezultoi në akses të paautorizuar në një grup të kufizuar informacioni.

“FIFA mund të konfirmojë se ka qenë viktimë e një sulmi të paligjshëm kibernetik, i cili ka rezultuar në akses të paautorizuar në një grup të kufizuar të dhënash personale dhe të dhënash biznesi”, i tha një zëdhënës i FIFA-s gazetës The Athletic.

Organizata tha se po bashkëpunonte ngushtë me autoritetet përkatëse, përfshirë organet e zbatimit të ligjit, si dhe dënoi vjedhjen dhe publikimin e të dhënave personale.

Një grup hakerësh, që e quan veten Handsome Boy Hacking Club (HBHC), duket se ka marrë përgjegjësinë për shkeljen e sigurisë, duke publikuar më 19 nëntor në platformën X, në pronësi të kompanisë amerikane të mediave sociale, një pamje ekrani të skedarëve që lidhen me FIFA-n.

Grupi pretendoi se kishte vjedhur më shumë se 12 gigabajt të dhënash, përfshirë dokumente identifikimi dhe imigracioni, informacione për drejtuesit e lartë, të dhëna financiare, dokumente ligjore dhe dosje të brendshme të qeverisjes.

Megjithatë, FIFA nuk e ka konfirmuar në mënyrë të pavarur vëllimin apo përmbajtjen e plotë të të dhënave që pretendohet se janë vjedhur.

Burime të njohura me incidentin i thanë gazetës The Athletic se sulmuesit kishin siguruar akses duke u paraqitur në mënyrë të rreme si punonjës të FIFA-s, dhe jo duke shfrytëzuar ndonjë defekt teknik në sistemet e saj./AA