Sulmet me dronë ukrainas godasin rafineritë, Putin pranon mungesën e karburantit në Rusi: Është kthyer në problem

Presidenti rus Vladimir Putin ka pranuar për herë të parë se sulmet me dronë të Ukrainës ndaj infrastrukturës energjetike po shkaktojnë mungesa karburanti në Rusi.

Në një intervistë për televizionin shtetëror rus, Putin tha se sulmet kanë krijuar “probleme të dukshme”, por këmbënguli se situata nuk është kritike.

“Sigurisht që krijojnë probleme. Tani kemi një mungesë të caktuar, por nuk është kritike”, u shpreh ai.

Sipas Putinit, qeveria ruse do të përpiqet të zbusë situatën duke rritur importet e karburantit, ndërsa do të forcojë mbrojtjen e rafinerive dhe do të përshpejtojë riparimin e objekteve të dëmtuara.

Sulmet e Ukrainës ndaj rafinerive të naftës janë shtuar muajt e fundit, duke goditur objektiva strategjikë larg vijës së frontit. Sipas analistëve, këto sulme kanë ulur me rreth 25% kapacitetin e rafinimit të naftës në Rusi dhe kanë krijuar mungesa furnizimi në tregun e brendshëm.

Racionimi i karburantit është vendosur në dhjetëra rajone ruse, përfshirë Moskën, ndërsa situata paraqitet më e vështirë në Krimenë e aneksuar, ku sulmet kanë dëmtuar edhe rrjetin logjistik.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se fushata me dronë synon të dobësojë aftësinë luftarake të Rusisë duke goditur furnizimet me karburant dhe infrastrukturën energjetike.

By admin5