Gjashtë anëtarë të një familjeje, mes tyre katër fëmijë, u vranë sot në një sulm ajror izraelit ndaj një shtëpie në qytetin e Gazës, njoftuan autoritetet shëndetësore palestineze, raporton Reuters.
Sipas burimeve mjekësore lokale, në sulmin ndaj lagjes “Sabra”, në pjesën qendrore të qytetit të Gazës, humbën jetën Firas al-Masri, bashkëshortja e tij Salsabil, tri vajzat e tyre dhe djali i tyre. Pas sulmit, shtëpia u përfshi nga zjarri.
Ushtria izraelite e konfirmoi sulmin, duke deklaruar se objektiv ishte një anëtar i grupit militant palestinez “Hamas” dhe se ende po heton pasojat e operacionit.
Ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan se në sulmet që nga e premtja deri tani janë vrarë tre pjesëtarë të “Hamasit” dhe “Xhihadit Islamik”. Sipas ushtrisë izraelite, dy prej tyre ishin të lidhur me sulmin ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, i cili nxiti ndërhyrjen ushtarake izraelite në Rripin e Gazës.
Sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore në Gaza, me sulmin e sotëm numri i palestinezëve të vrarë në sulmet izraelite që nga vendosja e armëpushimit mes Izraelit dhe “Hamasit” në tetor të vitit të kaluar ka kaluar 1.150 persona. Shumica e viktimave janë civilë.
Në të njëjtën periudhë, sipas autoriteteve izraelite, kanë humbur jetën edhe katër ushtarë izraelitë.



