Sulmi rus mbi monumentin e shenjtë të Kievit, reagon ashpër ministri i Jashtëm i Ukrainës: Putin duhet të mallkohet për shekuj

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ka reaguar ashpër pas sulmeve ruse që kanë dëmtuar Lavrën e Pechersk të Kievit, një nga vendet më të shenjta të vendit.

Ai deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin “duhet të mallkohet për shekuj” për sulmin, të cilin e cilësoi si barbar dhe një akt që synon shkatërrimin e trashëgimisë kulturore ukrainase. Sipas Sybihës, vetëm “llumrat rusë” mund të shënjestrojnë qëllimisht një monument të tillë, duke theksuar se Rusia nuk ka asnjë justifikim për shkatërrimin e jetëve, zonave të banuara dhe kulturës së Ukrainës.

Ai u bëri thirrje vendeve të G7 dhe liderëve evropianë që të mos mjaftohen me deklarata, por të ndërmarrin hapa konkretë, përfshirë forcimin e mbrojtjes ajrore për Ukrainën dhe rritjen e presionit ndaj Moskës.

Ministri njoftoi gjithashtu se Ukraina do të nisë procedura urgjente brenda UNESCO-s dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë, me synimin për të siguruar një reagim ndaj asaj që e quajti “barbarizëm shtetëror”.

Sulmi ka shkaktuar dëme edhe në strukturat historike të kompleksit, ku sipas pamjeve të publikuara një kupolë e artë e një kishe është rrëzuar në tokë.

By admin5