Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq propozon modelin e Ukrainës, për rrugëtimin e Maqedoni së drejt BE-së. Këto komente Plenkoviq i bëri pas takimit me kryeministrin Hristijan Mickoski në Ohër. Duke komentuar letrën e kancelarit gjerman Mertz, Plenkoviq tha se ajo është rezultat i reflektimeve disa mujore dhe se për të do të diskutohet në takimin e rregullt të Këshillit Evropian që pritet në qershor.
“Qëndrimi i Kroacisë është shumë i qartë: nëse heqim dorë nga koncepti i të ashtuquajturave merita individuale për secilin shtet veç e veç, dhe nëse krijohen disa rrugë të shkurtra apo modele të transformuara të anëtarësimit, në këtë rast para së gjithash për Ukrainën, atëherë kjo duhet të vlejë njësoj për të gjithë. Nuk mund të vlejnë disa rregulla për disa, e të tjera për të tjerët,” tha Andrej Plenkoviq – kryeministër i Kroacisë
Kryeministri Mickoski tha se qëllimi strategjik i Qeverisë mbetet integrimi i plotë në BE, por jo me kushte të pafundme bilaterale dhe lëshime të reja identitare.
“Derisa mosmarrëveshjet bilaterale dhe i ashtuquajturi bullizëm ndaj nesh nga ana e disa vendeve anëtare, në rastin konkret një vend anëtar, janë pengesë që ne të jemi pjesë e asaj familjeje, të cilën e meritojmë prej kohësh, për fat të keq ajo do të largohet gjithnjë e më shumë. Nuk ka më mundësi për lëshime identitare, nuk ka më kthim prapa kur bëhet fjalë për përcaktimet tona nacionale, pavarësisht nga çmimi që duhet të paguajmë. Nëse ky është çmimi që duhet ta paguajmë edhe pse jemi në rrugën e duhur, kjo Qeveri është e gatshme ta paguajë atë çmim. Do të presim kohë më të mira, nëse vërtet proceset bilaterale janë ato që duhet ta gjykojnë rrugën tonë evropiane, ne do të luftojmë në një mënyrë tjetër,” tha Hristijan Mickoski – kryeministër.
“Sa i përket përparimit dhe pritjeve për ndryshimin e Kushtetutës, këto janë hapa shumë të rëndësishëm, afatgjatë dhe seriozë, të cilët duhet të merren në nivelin përkatës nga establishmenti politik këtu në Maqedoni. Sa i përket qëndrimit tonë lidhur me atë me çfarë përballet Maqedonia e Veriut, praktikisht në 25 vitet e fundit në mënyrë të padrejtë, nuk ka asnjë arsyetim për këtë, sepse me këtë është ngadalësuar zhvillimi i vendit,” deklaroi Andrej Plenkoviq – kryeministër i Kroacisë.
“Sot në Ohër kryeministrat e Maqedonisë dhe Kroacisë, Plenkoviq dhe Mickoski, nënshkruan Marrëveshje për bashkëpunim strategjik, me qëllim thellimin e marrëdhënieve në fushat që janë me rëndësi thelbësore për të ardhmen e dy shteteve. U konfirmua gjithashtu se Kroacia, me ndryshimet në Ligjin për të huajt, ka vendosur viza afatgjata për shoferët nga vendet fqinje, ndër të cilat edhe nga Maqedonia” /Alsat.mk


