“Të ndjekin shembullin e ministrit Demo, shtëpinë e ka në Tiranë e punon në rrethe”, Rama kritikon kryebashkiakët: Nëse s’ndryshon situata, do përmend emra

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në eventin për infrastrukturën nëntokësore në zonat urbane me në fokus sistemimi i kabllove ajrore dhe strukturave të improvizuara që dëmtojnë pamjen e qyteteve, kalimi gradual drejt infrastrukturës nëntokësore dhe roli i bashkive në këtë proces.

Gjatë fjalës së tij, Rama nuk i kurseu kritikat për disa prej kryebashkiakëve, duke u shprehur se duhet të ndjekin shembullin e ministrit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, që edhe pse ka shtëpinë në Tiranë, sërish punon nëpër rrethe.

“Nuk janë të gjithë, por janë disa. Ndërkohë shembulli i ministrit aktual për Pushtetin Vendor, i cili vjen nga një eksperiencë shërbimi jashtë Tiranës. Edhe pse shtëpinë e kishte dhe e ka në Tiranë, është një shembull që duhet ta kenë parasysh disa kryetarë që sot nuk po i përmend me emër, por herën tjetër do i përmend me emër dhe publikisht. Lënë komunitetin dhe detyrën përpara se në fakt të vijë ai që është momenti zyrtar i pushimit dhe vijnë në Tiranë. Kjo gjë është e papranueshme. Kam të gjithë mirëkuptimin tuaj për të adresuar një orë e më parë këtë shqetësim, që më ka ardhur në mënyrë të përsëritur nga disa prej komuniteteve tuaja. Kryesisht në juglindje të vendit. Në aksin Tiranë-Korçë. Nuk flas për ata të ish-PD, se ata si janë si s’janë, prapë ata janë. Po flas për të zgjedhurit e PS në aksin Tiranë-Korçë. Nuk e kam as për Sotiraqin e as për ministrin. Për ta mbyllur me një buzëqeshje, që uroj të jetë një buzëqeshje e ëmbël dhe të mos kthehet në një buzëqeshje të hidhur për asnjërin”, u shpreh Rama./TCh/

By admin2