Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e së dielës në fshatin Neproshten të Tetovës, ku dy plumba kanë përfunduar në gardhin e një shtëpie informon Tetovasot.
Sipas Policisë, më 20 korrik 2026, rreth orës 22:25, në Stacionin Policor të Tearcës, 53-vjeçari L.P. nga Neproshteni ka denoncuar se, ndërsa ishte ulur në oborrin e shtëpisë së tij, kishte dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri. Pas kësaj, ai kishte vërejtur se dy predha kishin goditur gardhin e oborrit të shtëpisë së tij.
Fatmirësisht, nga incidenti nuk ka persona të lënduar.
Policia ka kryer këqyrjen në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e autorit.



