Një telefonatë e një fermeri në Britani të Madhe mund të ketë ndihmuar në parandalimin e një sulmi të dyshuar terrorist ndaj një baze ushtarake amerikane.
Policia britanike po vijon marrjen në pyetje të pesë burrave të arrestuar pranë bazës ajrore RAF Fairford, e cila përdoret nga Forcat Ajrore të SHBA-së. Të arrestuarit dyshohen për përgatitjen e një sulmi terrorist dhe mbajtjen e lëndëve plasëse.
Sipas raportimeve të mediave britanike, alarmi nisi pasi një fermer i zonës telefonoi policinë, duke raportuar se kishte parë një grup burrash të maskuar me kapuç pranë bazës.
“Brenda 10 minutash pasi telefonova 999, fshati u mbush me policë të armatosur. Besoj se telefonata ime prishi çdo plan që kishin”, ka deklaruar fermeri për BBC.
Një ditë më parë, autoritetet britanike njoftuan se kishin parandaluar një sulm të mundshëm terrorist me eksplozivë ndaj RAF Fairford. Hetimi po zhvillohet nga njësitë kundër terrorizmit, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë edhe mundësinë e përfshirjes së faktorëve të huaj në organizimin e sulmit.
Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës së së dielës, kur pranë zonës së Whelford-it u vunë re tre furgona të dyshimtë. Policia e cilësoi situatën si një “incident të rëndë”, rrethoi zonën dhe evakuoi banorët e fshatit përreth në një qendër lokale rekreative.
Skuadrat e specializuara kontrolluan automjetet, ndërsa pesë personat e arrestuar mbetën në paraburgim për t’u marrë në pyetje.
RAF Fairford konsiderohet një objekt me rëndësi strategjike për SHBA-në. Baza përdoret për operacione të Forcave Ajrore amerikane dhe është e përshtatshme për operimin e bombarduesve strategjikë me rreze të gjatë veprimi.
Ndërkohë, autoritetet britanike dhe amerikane po vijojnë hetimet për të përcaktuar se çfarë synonin të kryenin personat e arrestuar dhe nëse pas tyre qëndron ndonjë organizatë apo aktor i huaj.



