Një parullë nacionaliste “Kosovo je Srbija” është shfaqur në një nga rrugët më të frekuentuara të fshatit Umindoll, duke nxitur reagimin e Nëndegës së BDI-së nga Nikushtaku.
Bëhet fjalë për rrugën e njohur si “Udha e Vjetër”, e cila përdoret nga banorë të komunës së Likovës, Haraçinës dhe qytetarë të tjerë që udhëtojnë drejt Kumanovës.
Pas shfaqjes së shkrimit, anëtarë të Forumit Rinor të BDI-së, Dega Likovë – Nëndega Nikushtak, kanë ndërhyrë dhe e kanë fshirë parullën nga hapësira publike.
“PËRÇARJA NUK KALON!” – është mesazhi që ka përcjellë kryetari i Forumit Rinor të BDI-së, Deniz Sulimani.
Në reagimin e tij, Sulimani e cilëson parullën si “përmbajtje përçarëse” dhe thotë se përgjigjja ndaj saj nuk duhet të jetë një tjetër provokim.
“Nuk u morëm me provokuesit, por u morëm me provokimin. I fshimë shkrimet dhe e rikthyem hapësirën publike në gjendjen që i takon një vendi ku njerëzit duhet të jetojnë së bashku”, shkruan Sulimani.
Ai ka paralajmëruar se nuk do të lejohet që rrugët dhe hapësirat publike të përdoren si vende për propagandë nacionaliste.
“Provokimi nuk është forcë, ndërsa urrejtja nuk është patriotizëm”, thuhet më tej në reagimin e tij.
Sulimani e ka mbyllur reagimin me një mesazh të drejtpërdrejtë:
“Jo urrejtjes. Jo provokimeve. Jo përçarjes.”
Ndërkohë, mbetet e paqartë se kush i ka vendosur shkrimet “Kosovo je Srbija” në rrugën e Umindollit.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te përdorimi i hapësirave publike për parulla me përmbajtje nacionaliste, të cilat mund të nxisin tensione dhe përçarje ndërmjet komuniteteve.



