Tentim-vrasja në Istog, Prokuroria kërkon paraburgimin e Vezir Hazirajt

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Vezir Hazirajt, i dyshuar për vrasje të mbetur në tentativë, mbajtje të paautorizuar të armëve dhe kanosje.

Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 7 gusht në fshatin Orroberd të Istogut, pas një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarit dhe të dëmtuarit D.H.

I dyshuari, sipas dyshimeve, ka nxjerrë një pushkë gjuetie të modifikuar dhe ka shtënë në drejtim të të dëmtuarit, duke e goditur në kofshën e majtë dhe duke i shkaktuar lëndime të rrezikshme për jetën. Pas incidentit, ai dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria thotë se gjatë hetimeve është konstatuar edhe dyshimi për posedim të paautorizuar të armëve, përfshirë pushkën e modifikuar dhe një revole, për të cilat i dyshuari nuk kishte leje përkatëse.

Ndërkohë, më 8 gusht, i dyshuari dyshohet se përmes rrjeteve sociale ka publikuar përmbajtje kërcënuese ndaj personave zyrtarë, duke i kanosur me përdorimin e armëve të zjarrit dhe mjeteve shpërthyese.

Prokuroria ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për paraburgim dhe kërkesën ia ka dorëzuar Gjykatës kompetente për vendim. /IndeksOnline/

By admin7