Tetë palestinezë, përfshirë dy fëmijë, vriten në sulmet ajrore izraelite në Gaza

Tetë palestinezë, përfshirë dy fëmijë, u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një seri sulmesh ajrore izraelite në mbarë Rripin e Gazës herët të dielën, pavarësisht njoftimit të së premtes për një marrëveshje mbi zbatimin e fazës së ardhshme të planit të armëpushimit, transmeton Anadolu.

Një burim mjekësor në Spitalin Nasser në qytetin jugor Khan Younis tha se tre palestinezë (bashkëshortë dhe vajza e tyre) u vranë dhe tre të tjerë u plagosën kur një sulm ajror izraelit goditi një apartament në zonën Al-Qarara, në veriperëndim të qytetit.

Sulmi goditi një apartament që i përkiste familjes Al-Hams, duke vrarë Mahmoud Zaki Al-Hams, 38 vjeç, bashkëshorten e tij Fatima Al-Hams, 37 vjeç, dhe vajzën e tyre të vogël, thanë dëshmitarët për Anadolu. Trupat e tyre u dërguan në spital.

Burime lokale raportuan gjithashtu se artileria izraelite bombardoi zonën Dar Al-Salam në qendër të Khan Younisit. Nuk u raportuan menjëherë viktima.

Në Gazën qendrore, Kamal Abu Muailiq, 68 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Huda, 59 vjeç, u vranë kur një helikopter izraelit goditi shtëpinë e tyre në zonën Al-Mashaala, në perëndim të Deir al-Balah, sipas burimeve mjekësore dhe dëshmitarëve.

Në Qytetin e Gazës, një tjetër sulm izraelit ndaj një apartamenti në Kullën Al-Sousi, pranë zonës së portit, vrau tre palestinezë – Abdullah Abu Taif, 33 vjeç, bashkëshorten e tij Abeer Anan, 29 vjeç, dhe djalin e tyre 5-vjeçar Azzam, tha një burim mjekësor në Spitalin Al-Shifa.

Një palestinez tjetër u plagos në një sulm të veçantë izraelit që goditi një apartament pranë Xhamisë Palestine në lagjen Al-Nasr, në perëndim të Qytetit të Gazës.

Ndërkaq, automjetet ushtarake izraelite hapën zjarr drejt zonave lindore të lagjes Al-Tuffah, në lindje të Qytetit të Gazës, ndërsa nuk u raportuan menjëherë viktima.

By admin7