Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, do të mbetet në paraburgim në Hagë deri në shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore ku ai akuzohet së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara ka vendosur të mos e miratojë kërkesën e mbrojtjes për lirimin e ish-presidentit të Kosovës.
Vendimi, i datës 10 gusht, vlerëson se nuk ka informacion të mjaftueshëm për të arritur në përfundimin se Thaçi do t’i shmangej drejtësisë nëse do të lirohej.
Megjithatë, gjyqtarët kanë konstatuar se ende ekzistojnë rreziqe që ai mund të pengojë ecurinë e procedurave ose të ndikojë te dëshmitarët.
Sipas Trupit Gjykues, ekziston një rrezik i mjaftueshëm që Thaçi, në rast lirimi, të mund të ndërhyjë në proceset e Dhomave të Specializuara dhe të kryejë vepra të tjera penale ndaj personave që ai mund t’i perceptojë si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi në këtë çështje.
“Paneli përfundon se, në këtë kohë, vazhdon të ketë informacion të pamjaftueshëm para tij që justifikon një konstatim se z. Thaçi mund t’i shmanget drejtësisë nëse lirohet. Megjithatë, Paneli është i kënaqur, bazuar në standardin përkatës, se ekziston një rrezik i mjaftueshëm që z. Thaçi do të pengojë përparimin e procedurave të Dhomave të Specializuara dhe se ai do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë prova në këtë çështje”, thuhet në vendim transmeton Klankosova.tv.
Aktgjykimi ndaj tij, Veselit, Selimit dhe Krasniqit pritet të shpallet më 16 shtator 2026. Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar zyrtarisht se shpallja publike e aktgjykimit është caktuar për këtë datë.
Në të njëjtin vendim, kryegjyqtari Charles Smith ka urdhëruar që palët të mos paraqesin më parashtresa lidhur me shqyrtimin e ardhshëm të masës së paraburgimit ndaj Thaçit, i cili, sipas afateve, do të duhej të zhvillohej më 9 tetor 2026.
Trupi Gjykues ka vlerësuar se një shqyrtim i tillë nuk është më i nevojshëm në këtë fazë, duke pasur parasysh se aktgjykimi është caktuar të shpallet më 16 shtator.
“Paneli vëren se, në përputhje me nenin 41(10), shqyrtimi i ardhshëm i paraburgimit të z. Thaçi, në parim, është caktuar të bëhet të premten, më 9 tetor 2026, përveç nëse Aktgjykimi i Gjykimit shpallet ndërkohë”, thuhet në vendim.
Procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit në çështjen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Prokuroria Speciale i akuzon ata për një sërë veprash penale që, sipas aktakuzës, lidhen me periudhën e luftës dhe pasluftës në Kosovë. Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm dhe kanë mohuar akuzat ndaj tyre.



